Milani me identitet të ri dhe theks shqiptar – Igli Tare e do edhe Berat Gjimshitin

#image_title

Milani po ndërton një projekt të ri ambicioz me synimin për t’u rikthyer në majat e futbollit evropian. Me një valë ndryshimesh në të gjitha hallkat, klubi kuqezi po krijon një identitet të freskët – dhe shqiptarët po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në këtë transformim.

Pas emërimit të Igli Tares në rolin e drejtorit sportiv dhe rikthimit të Massimiliano Allegrit në pankinë, “Djalli” ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në merkato me afrimin e mesfushorit Ardon Jashari nga Club Brugge. Futbollisti me origjinë shqiptare shihet si një investim i rëndësishëm për të ardhmen, me potencial për të bërë vendin e tij në zemër të mesfushës së Milanit.

Ndërkohë, sipas mediave italiane, pritet të ketë një tjetër përforcim me lidhje shqiptare. Berat Gjimshiti, shtylla e mbrojtjes së Kombëtares shqiptare dhe një nga lojtarët më të besueshëm te Atalanta, është futur në orbitën e Milanit si një alternativë serioze për repartin defensiv.

Ardon Jashari
Ardon Jashari

Lëvizja vjen në një moment kur Malick Thiaw mund të largohet nga kuqezinjtë, me disa klube të Premier League dhe Serie A të interesuara për shërbimet e tij. Në rast largimi, Milani kërkon një zëvendësues të gatshëm dhe me përvojë në kampionatin italian, dhe Gjimshiti shihet si profili ideal: lider, i qëndrueshëm dhe me eksperiencë të konsiderueshme.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, alternativa të brendshme si Jan-Carlo Simic, Davide Bartesaghi dhe Leoni janë në konsideratë, por emri i Gjimshitit qëndron në krye të listës për shkak të nivelit dhe kontributit të tij të provuar.

Berat Gjimshiti

Nëse transferimi konkretizohet, Milani do të kishte në organikë tre lojtarë shqiptarë – Igli Taren në drejtim, Ardon Jasharin në mesfushë dhe Berat Gjimshitin në mbrojtje – një sinjal i qartë për ndikimin gjithnjë në rritje të shqiptarëve në skenën më të lartë të futbollit evropian.