Mister në disiplinë: Inicohet emri i Pirevës, por zhduket nga vendimi final – ndërkohë flitet për dënim të Genc Nuzës

Një situatë e pazakontë është shfaqur në vendimet disiplinore të publikuara nga Federata e Futbollit të Kosovës pas ndeshjes Gjilani–Dukagjini. Teksa në komunikatën zyrtare për inicimin e procedurave, përmendej qartazi kryetari i SC Gjilani, Fatlum Pireva, për sjellje të rëndë ndaj gjyqtarëve – përfshirë fyerje personale e kërcënime – emri i tij nuk figuron fare në vendimin final të Komisionit Disiplinor.
Në vendimin përfundimtar, përgjegjësia i atribuohet klubit si subjekt për “lëshime në organizimin e ndeshjes” dhe për “mosevitim të personave të paautorizuar” në hapësira zyrtare, por nuk ka asnjë përmendje për ndonjë sanksion personal ndaj Pirevës. Mbetet e paqartë nëse Komisioni Disiplinor ka ndryshuar qasje apo nëse mungesa e përfshirjes së tij është rezultat i ndonjë procedimi tjetër që nuk është bërë publik.
Nga ana tjetër, figura të tjera nga stafi i Gjilanit janë dënuar qartazi: sekretari Mirand Avdiu dhe përfaqësuesi për siguri, Adonis Maloku, secili me nga dy ndeshje pezullim për ofendime ndaj gjyqtarit gjatë ndeshjes.
Sakaq, në prapaskenë po qarkullojnë edhe lajme jozyrtare nga gazetarë të afërt me klubet që shpesh kanë udhëtuar me financa të tyre nëpër Evropë, sipas të cilëve gjyqtari Genc Nuza është pezulluar për katër ndeshje për “fyerje”. Ky informacion nuk është konfirmuar nga FFK, por ka ngritur pikëpyetje rreth qasjes së institucionit ndaj transparencës dhe mënyrës së trajtimit të rasteve disiplinore.
Mbetet për t’u parë nëse FFK do të dalë me ndonjë sqarim zyrtar në lidhje me këto vendime të paplota dhe përse emri i Pirevës u përmend në fillim, por jo në fund. Për momentin, më shumë ka paqartësi sesa përgjigje.


