Nëna e Adrien Rabiot shpërthen ndaj drejtuesve të Marseille: Janë gënjeshtarë dhe tradhtarë, më keq se PSG!

Veronique Rabiot
Veronique Rabiot

Veronique Rabiot, nëna dhe njëherësh përfaqësuesja e mesfushorit francez Adrien Rabiot, ka shpërthyer publikisht kundër drejtuesve të Olympique Marseille, pas vendimit për pezullimin dhe nxjerrjen e të birit në shitje. Në dy intervista për RTL dhe të përditshmen La Provence, përcjellë Kërlaçki, ajo ka akuzuar klubin për trajtim të padrejtë dhe manipulim të situatës.

Vendimi i klubit erdhi pas një konflikti mes Rabiot dhe bashkëlojtarit Jonathan Rowe, pas të cilit drejtuesit vendosën që të dy lojtarët të largohen. Véronique Rabiot nuk kurseu fjalët e ashpra ndaj presidentit Pablo Longoria – të cilin e akuzoi se sillet si agjent dhe jo si drejtues klubi – dhe drejtorit sportiv Medhi Benatia – që sipas saj “nuk është i aftë për rolin që mban” – dhe trajnerit Roberto De Zerbi, për të cilin tha se “vetëm bërtet dhe leh në dhomën e zhveshjes”.

“Presidenti dhe drejtori sportiv nuk janë në nivelin e detyrës. U mungon maturia, i udhëheq emocioni dhe egoja. Longoria sillet si agjent, jo si president. As unë, as Longoria nuk kemi qenë në dhomën e zhveshjes. Adrien do ta tregojë versionin e tij. Klubi flet për ‘dhunë të paparë’, por nuk ka as hundë të thyer, as buzë të çara, as qepje. Askush nuk përfundoi në spital. Dhe as trajneri, as drejtori sportiv nuk ndërhynë”, – tha Rabiot.

Përballë kritikave, Longoria dhe Benatia justifikuan vendimin me nevojën për të ruajtur respektin ndaj klubit, por nëna e Rabiot i ktheu përgjigje edhe këtij argumenti:

“Çfarë respekti predikon një president që bërtet ‘korrupsion, korrupsion’ kundër gjyqtarëve? Apo një drejtor sportiv që ka qenë i pezulluar për muaj me radhë për shkak të deklaratave kundër arbitrave? Ata nuk janë shembull për askënd”, – komentoi ajo.

adrien rabiot
adrien rabiot

Në qendër të kritikave ishte edhe De Zerbi, i cili sipas saj nuk mund të flasë për ‘tronditje’ kur vetë ka dhënë një shans të dytë për Mason Greenwood pas skandalit të dhunës ndaj partneres, por nuk është i gatshëm të bëjë të njëjtën gjë për Adrienin.

“De Zerbi thotë se është ndjerë i tradhtuar për mungesën e përkushtimit në kampin stërvitor në Holandë. Por i tradhtuari është Adrien. Ai ndjen mosmirënjohje, tradhti dhe mungesë respekti”, – shtoi ajo.

Véronique Rabiot kujtoi gjithashtu rastin kur i biri refuzoi rinovimin me PSG-në, duke mbetur jashtë fushave për një pjesë të madhe të sezonit dhe më pas duke fituar një padi ndaj klubit. Por ajo thekson se kjo situatë me Marseille është edhe më e rëndë:

“Menduam se më e keqja kishte ndodhur me PSG-në, por gabova. Në Marseille është edhe më keq. Gjithçka është një kurth. Nëse situata do të ishte aq serioze, Adrien do të ishte përjashtuar menjëherë. E gjithë kjo është thjesht një mënyrë për ta futur në treg një vit para përfundimit të kontratës dhe për të përfituar financiarisht. Në futboll të gjithë gënjejnë, dhe të gjithë e dinë që të gjithë gënjejnë. Kur nuk kupton çfarë po ndodh, faji është gjithmonë tek paratë”, – përfundoi Rabiot.