Nesër: Alban Dragusha vs Armend Dallku

Lideri, si skuadra më e mirë mysafire, udhëton te skuadra vendase me mbrojtjen e katërt më të mirë.

Vushtrria, lider absolut i Ligës së Parë, me 34 pikë, me 5 fitore rresht dhe vetëm një barazim në tetë lojë, kurse kanë pësuar vetëm një humbje… në një vit gare! Si mysafir kanë arritur 17 pikë, 4 më shumë se Vëllaznimi dhe Dinamo.
Por, nga 8 takimet e fundit si mysafir, ekipi i Armend Dallkut, përveç 2 barazimeve dhe humbjes së vetme ndaj Tefik Çangës, i ka arritur 5 fitore.
Në anën tjetër, ekipi i Alban Dragushës, si vendas ka arritur 7 fitore, një barazim me një pretendent si Trepça ’89 dhe dy humbje, po me pretendentët Liria dhe Vëllaznimi.
Ramiz Sadiku, në anën tjetër, skuadër me futbollistë të rinj, shumë vështirë e mposhtur, por edhe me shumë barazime – plot 6 sosh. “Ndërtimtarët” kanë tre fitore rresht, çka e bën këtë përballje jashtëzakonisht interesante.
Fitorja e Ramiz Sadikut, përveç që do ta fuste skuadrën sërish në garë, pa dyshim do t’i gëzonte të gjithë rivalët tjerë.
Ndërsa, Vushtrria nga tre përballjet e fundit të edicionit të kaluar, dy ka fituar në „Ferki Aliu“ me rezultat 2-0 dhe 3-0 kurse në Prishtinë, 1-1.



