
Mbrojtësi i majtë kosovar, Dion Gallapeni, ka bërë debutimin e tij zyrtar me fanellën e Widzew Lodz në elitën e futbollit polak, pas transferimit nga FC Prishtina.
20-vjeçari u aktivizua për 45 minuta në ndeshjen e fundit të klubit, e vlefshme për xhiron e tretë, ku tregoi paraqitje solide dhe fitoi vëmendjen pozitive të tifozëve vendas, ku ishte edhe afër golit.
Pas ndeshjes, ish mbrojtësi i FC Prishtinës, Gallapeni ka folur për portalin “Kërlaçki”, duke ndarë emocionet e para pas debutimit.
“Ndjesi e mrekullueshme të debutoj me klubin e Widzew, e më e mira të debutoj me fitore. I lumtur që jam pjesë e këtij klubi me tifozë të jashtëzakonshëm që jetojnë për klubin”, deklaroi Gallapeni për Kërlaçkin.

Resprezentusi i Kosovës theksoi se ambientimi në Poloni ka qenë i shpejtë dhe i natyrshëm, ndërsa vlerësoi klubin për madhështin e tij.
“Kam bërë hapa progresiv në kaq pak kohë pasi më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë dhënë mbështetjen e duhur. Jam ambientuar mjaftë mirë.”
“Klubi ku jam tani është klub shumë i madh, me futbollistë, staf e tifozë të jashtëzakonshëm. Shpresoj në suksese të mëdha dhe të arrijmë synimet e klubit. Këtë e kam primare, sepse sukseset personale do të vijnë me kohën”, ka thënë Galla.

Gallapeni konsiderohet një nga mbrojtësit e majtë më premtues nga Kosova dhe synon të shkëlqejë në kampionatin polak për të bërë hapin e radhës në karrierë.
Ekipi i tij Widzew Lodz në tri xhiro ka marr dy fitore dhe një humbje, duke tubuar 6 pikë.