Kalo te përmbajtja
Dienstag, 25 August 2026
Futboll Vendi

Trajneri i Dakut: Mirlindi ta kuptojë që të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, nuk e mban nivelin gjatë 90 minutave!

Mirlind Daku ishte në qendër të vëmendjes pas ndeshjes dramatike mes Rubin Kazanit dhe Zenit St. Petersburgut, e cila përfundoi me barazim 2:2 në kuadër të kampionatit rus. Sulmuesi kosovar shënoi golin e barazimit në minutën e 90-të, duke u kthyer në hero për ekipin e tij.

Gjatë merkatos verore ishte përfolur një kalim i mundshëm i Dakut te Zeniti, por transferimi nuk u konkretizua. Pavarësisht kësaj, Daku mbeti te Rubini dhe dëshmoi vlerën e tij në një nga ndeshjet më të mëdha të sezonit.

Golin e parë për Rubin Kazanin e realizoi reprezentuesi tjetër i Kosovës, Veldin Hoxha.

Pas ndeshjes, trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, theksoi se Daku nuk pati një paraqitje të qëndrueshme gjatë gjithë lojës, por vlerësoi rëndësinë e golit të tij.

“Ai duhet ta kuptojë se çdo ndeshje është e rëndësishme. Ka një nivel të caktuar, por duhet ta mbajë atë gjatë gjithë lojës,” deklaroi Rakhimov.

Ndërkohë, kapiteni i Rubin Kazanit, Igor Vujaçiq, e lavdëroi Dakun duke e cilësuar si një ndër sulmuesit më të mirë në kampionatin rus, me potencial për të luajtur edhe në La Liga.

“Duhet vetëm të presësh momentin e tij. Mbrojtësit e Zenitit e markuan mirë, por ai gjeti rastin dhe shënoi,” u shpreh Vujaçiq.

Edhe trajneri i Zenitit, Sergei Semak, dhe mbrojtësi Vanja Drkushiq, e vlerësuan Dakun për cilësitë e tij, duke e përfshirë në mesin e lojtarëve më të mirë të kampionatit.

Mirlind Daku
#image_title