FC Drenica, e rikthyer këtë sezon në Superligë, ka regjistruar një fitore, një barazim dhe një humbje, me goldallim 1:3. Megjithatë, këto rezultate nuk po mjaftojnë për të qetësuar tifozët kuqezi, ndërsa dilema mbetet nëse pakënaqësia e tyre lidhet vetëm me aspektin sportiv apo edhe me çështje të tjera.
Tifo-grupi “Shqiponjat e Zeza” ka dalë me një reagim të ashpër, duke njoftuar bojkotin e tyre derisa të shkarkohet trajneri Bylbyl Sokoli.
Në reagimin e tyre thuhet:
“Ne, tifogrupi Shqiponjat e Zeza, njoftojmë se do të qëndrojmë në bojkot deri në shkarkimin e trajnerit Bylbyl Sokoli. Arsyet tona janë të qarta: përveç mungesës së rezultateve, trajneri ka treguar arrogancë edhe jashtë fushe. Ai ka shfaqur sjellje të papranueshme ndaj tifozëve, që gjithmonë qëndrojnë pranë ekipit, por edhe ndaj vetë lojtarëve. Në ndeshjen e fundit nuk i lejoi ata të kërkonin falje për mungesën e rezultateve, gjë që për ne është e patolerueshme. Kërkojmë nga klubi që menjëherë të marrë parasysh kërkesën tonë. Në të kundërtën, askush të mos na fajësojë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim. Shqiponjat e Zeza gjithmonë në mbështetje të klubit, por kurrë në heshtje ndaj padrejtësive!”
Ndërkohë, Drenica nesër nga ora 15:00 do të zhvillojë ndeshjen e mbetur të javës së dytë në Gjilan, kundër kampionit aktual, Dritës, e cila pas tre ndeshjeve të para të sezonit ka vetëm dy pikë.