Skuadra tre herë kampione në Kosovë, Ballkani, po përballet me një krizë serioze financiare dhe organizative, që rrezikon të tronditë stabilitetin e klubit. Me vonesa në paga, bllokim të merkatos dhe kontrata të shfrenuara financiare, situata duket larg pritshmërive për një klub që ka shkëlqyer në arenën ndërkombëtare.
Në qendër të kësaj situate ndodhet trajneri Orges Shehi, i cili pritet të largohet nga skuadra në përfundim të fazës aktuale, në muajin dhjetor. Me një bilanc prej 34 ndeshjesh, 16 fitore, 11 barazime dhe 7 humbje, Shehi ka njoftuar drejtuesit për vendimin e tij, duke sinjalizuar mbylljen e bashkëpunimit pas një viti në krye të ekipit nga Suhareka.
Shpenzime pa kontroll dhe borxhe ndaj lojtarëve
Problemet e Ballkanit kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin financiar të pakontrolluar, ku kontrata me shifra të larta, shpërblime dhe bonuse të konsiderueshme kanë rezultuar më shumë barrë sesa investim. Ky model, i ndjekur edhe nga klube të tjera në Kosovë, ka sjellë situata ku klubet punojnë për lojtarët, ndërsa vetë mbeten me “kacen thatë”.
Pa një plan të qartë financiar, suksesi sportiv nuk ka arritur të përkthehet në qëndrueshmëri. Ballkani, që për disa vite rresht dominoi futbollin kosovar dhe përfaqësoi denjësisht vendin në Kupat e Europës, tani ndodhet përballë një kolapsi të mundshëm organizativ.
“Plas te Ballkani”: Shehi dorëhiqet, merkatoja e bllokuar
“Plas tek Ballkani, bllokim merkatoje dhe vonesa pagash, Shehi paraqet dorëheqjen!
Ka zgjatur një vit me sa duket bashkëudhëtimi i Orges Shehit tek skuadra e Ballkanit në Kosovë. Edhe pse ende pritet zyrtarizimi, pak ditë më parë, përpara ndeshjes me Drenicën, trajneri durrsak ka njoftuar drejtuesit e skuadrës nga Suhareka se do të largohet me përfundimin e fazës, në dhjetor të këtij viti”, ka shkruar sot Top Channel.
Burime pranë skuadrës kanë konfirmuar për Top Channel se lojtarët nuk janë paguar për afro dy muaj, ndërsa merkatoja është aktualisht e bllokuar nga sanksione të brendshme apo të federatës.