Jesper Ostlund
Selektori i ri i Kombëtares së Kosovës në hendboll, suedezi Jesper Ostlund, ka shpallur listën e tij të parë me 18 lojtarë të ftuar për dy ndeshjet kundër Britanisë së Madhe, në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027.
Ostlund, i cili u zyrtarizua në post më 2 shtator, do të debutojë më 29 tetor në ndeshjen që zhvillohet në Derby të Anglisë. Takimi i kthimit do të luhet më 2 nëntor, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Synimi i Kosovës është kualifikimi në raundin e dytë të këtyre kualifikimeve.
Në listën e publikuar mungojnë disa emra të rëndësishëm, përfshirë kapitenin Valon Dedaj dhe zëvendëskapitenin Kastriot Jupa, si dhe disa lojtarë të tjerë me peshë. Megjithatë, selektori ka përfshirë edhe prurje të reja, si Gzim Salihin, që aktivizohet në Suedi, si dhe pivotët Ardit Tafilaj (Rahoveci) dhe Muhamet Durmishi, i cili luan në Gjermani.
Kombëtarja do të grumbullohet të dielën, më 26 tetor në Prishtinë, ndërsa stërvitja e parë është paraparë të mbahet po atë ditë, në orën 18:00, në palestrën e Lipjanit. Të hënën janë planifikuar dy seanca stërvitore, ndërsa të martën ekipi udhëton drejt Britanisë së Madhe.
Ostlund do të ketë përkrah si ndihmës-trajner Jasmin Zhutën.