Pedro Silva para përballjes me Dritën: Jemi më gati se herën e parë, synojmë rezultat pozitiv

Pedro Silva
Pedro Silva

Kryetrajneri i skuadrës luksemburgase Differdange, Pedro Silva, ka folur për mediat para ndeshjes së kthimit ndaj Dritës në kuadër të raundit të Play-offit të Ligës së Konferencës. Ai pranoi se e pret një përballje e vështirë, por nënvizoi përparimin që skuadra e tij ka bërë që nga ndeshja e parë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Megjithatë, jemi shumë më të përgatitur sesa në takimin e parë. Kemi pasur kohë për të bërë ndryshime, kemi përfshirë edhe një lojtar të ri dhe besoj se jemi një skuadër ndryshe tani”, u shpreh Silva.

Duke folur për kundërshtarin, ai vlerësoi cilësitë e Dritës, por theksoi edhe gatishmërinë e lojtarëve të tij: “Drita ka një ekip të mirë. Ne kemi një mungesë, por pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme. Nuk mendoj se fakti që nuk kemi luajtur ndonjë ndeshje zyrtare na bën favoritë”.

Silva ka ndjekur Dritën kundër Ferizajit dhe ka vërejtur disa ndryshime: “I pamë në Ferizaj dhe pësuan disa ndryshime në formacion. Luajtën vetëm 45 minuta me disa titullarë, ndaj mendoj se shanset janë të barabarta, 50 me 50.”

Në fund, trajneri portugez shtoi se për të dy skuadrat, arritja në fazën “play-off” është një sukses më vete: “Ne kemi ardhur për rezultat pozitiv. Të qenurit në play-off, qoftë për ne, qoftë për Dritën, është një arritje e madhe. Nuk ndiejmë presion – jemi këtu për ta shijuar këtë moment.”