
Beshiktashi mori një rezultat pozitiv të enjten mbrëma, duke barazuar 1:1 në udhëtim ndaj Lausanne, në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës. Në këtë barazim ndikoi edhe Milot Rashica, i cili shënoi në minutën e 45-të për epërsinë 1:0.
Skuadra turke pësoi gol shtatë minuta para fundit, por kjo nuk e shqetëson sulmuesin e Kosovës, i cili beson se Beşiktaşi do të kalojë në fazën e grupeve.
“Do ta përfundojmë punën në ndeshjen kthyese. Kishim posedim, por ua dhamë shumë mundësi kundërshtarëve. Krijuam raste, por edhe ata patën disa, që erdhën nga gabimet tona. Mund të kishim shënuar një ose dy gola më shumë dhe ta mbyllnim ndeshjen më herët. Megjithatë, besoj se do të avancojmë”, u shpreh Rashica pas takimit.
Ky ishte goli i tij i parë i sezonit pas katër ndeshjeve, ndërsa në arenën evropiane me fanellën bardhezi ishte goli i tretë në total. Kohët e fundit, Rashica është kritikuar shumë në Turqi.
“Duhet të përshtatemi në çdo pozitë ku na vendos trajneri. Pozita ku luajta ishte ndryshe, por nuk pata probleme. Në përgjithësi bëmë lojë të mirë, përveç disa gabimeve që duhet t’i korrigjojmë”, shtoi 29-vjeçari.
Me kombëtaren e Kosovës, Rashica ka zhvilluar 61 ndeshje, duke shënuar 12 gola dhe dhënë 18 asistime.