Piksi para ndeshjes: Disa kritikë do të mbështesin Shqipërinë!

Piksi
Piksi

Pas humbjes së rëndë në shtëpi me rezultatin 5:0 ndaj Anglisë muajin e kaluar, përfaqësuesja e Serbisë më 11 tetor, në orën 20:45, do të presë Shqipërinë në Leskovc, ndërsa tre ditë më vonë do të udhëtojë drejt Andorrës. Vëmendja kryesore do të jetë te përballja me Shqipërinë, dhe trajneri Dragan Stojkoviç – Piksi – theksoi se skuadra e tij nuk kërkon justifikime dhe se motivimi nuk do të mungojë.

“E dimë çfarë do të thotë një fitore për ne, jemi të vetëdijshëm edhe për pasojat e një barazimi apo humbjeje, por për këtë të fundit nuk duam as të mendojmë”, deklaroi Stojkoviç. “Nuk do të jetë e lehtë, por as për ta nuk do të jetë. Sot nuk ka më skuadra të dobëta – të gjithë luftojnë dhe dinë të luajnë futboll.”

“Ky takim është shumë i rëndësishëm për ne, si për rezultatin ashtu edhe për ecurinë në kualifikime. Dhe jo, nuk mund të ndodhë që katër lojtarë të kërkojnë zëvendësim në pushim kundër Letonisë. Kjo është absurde. Është pasojë e faktit se nuk luajnë mjaftueshëm në klubet e tyre, gjë që na krijon probleme.”

“Disa analistë do të bëjnë tifo për Shqipërinë”

Një tjetër deklaratë që ka nxitur reagime në Serbi dhe rajon ishte ajo ndaj analistëve vendas. Shumë besojnë se Piksi iu referua konkretisht Rade Bogdanoviqit.

“Ka shumë kritikë dhe analistë që do ta ndjekin ndeshjen – ndoshta dikush këtë herë do të bëjë tifo për Shqipërinë, ndoshta ka edhe të tillë. Por unë nuk merrem me këtë. Dua të përgatis ekipin sa më mirë dhe të zhvillojmë një ndeshje cilësore në Leskovc”, tha Stojkoviç.

Bogdanoviq: Piksi pa sistem loje, faji mbi lojtarët është papërgjegjësi

Rade Bogdanoviq ishte ndër zërat më kritikë pas humbjes nga Anglia: “Mënyra si humbëm i çon tifozët në një lloj depresioni. Ai si trajner nuk ka ndërtuar një sistem loje, as nuk ka përzgjedhur një grup të qëndrueshëm lojtarësh. Ka edhe njerëz nga Marbella që i fusin hundët dhe shtyjnë lojtarët e tyre në ekip.”

“Por nuk dua t’i përmend tani, as t’u futem në xhep… Më shqetësoi deklarata e mbrëmshme – askush nuk mund t’i citojë fjalët e tij, as njerëz shumë më inteligjentë se unë. T’i hedhësh fajin lojtarëve, t’u thuash se janë të ngadaltë, të plogët, pa minutazh… për mua kjo është mungesë edukate dhe papërgjegjësi nga një trajner që përfaqëson një shtet.”