
Viti 2014. FC Prishtina për herë të parë pas shumë kohësh kishte emëruar një trajner që nuk vinte nga gjeneza e saj.
Vazhdon nga pjesa e dytë…
Bisedë me nacionalistin, Bylbyl Sokoli
Në vitin 2013, FC Prishtina kishte rrëmbyer titullin e 10-të jubilar. Pas kësaj, ishte shtjerrë. Edhe në vitin pasues kishte ndjekur titullin deri në fund, megjithatë Vushtrria, me një Prishtinë të plogësht, ia kishte dalë të merrte titullin e parë dhe të fundit në historinë e saj.
2013/14 Prishtina kishte ndërruar dy trajnerë, dhe në fillim të sezonit të ri, 2014/15, më 7 korrik, ishte vendosur që për herë të parë, pas shumë e shumë vitesh, FC Prishtina në radhët e saj mos të kishte trajner nga gjeneza e saj, vendor. Të jashtëm kishte.
Ishte frymë e madhe patriotike, Kombëtarja po korrte sukses. Kishte hyrë në turnin e ri kualifikues. Do të ndeshej me Serbinë në grup. Lojtarë nga tërë trevat shqiptare. Dhe, Bylbyli ishte bajraktar i kësaj atmosfere në Kosovë, nga trajnerët apo stafi sportiv. Plisat, dihej, që nga viti 2001 mbanin bajrakun e tifo-grupeve kosovare në përkrahje të Kombëtares shqiptare.
Bylbyli nuk duhej as nuk vlerësohej nga tifozët e vërtetë të Prishtinës, nga ata të “Perëndimit”. Bylbyli ishte rival i keq i Prishtinës me ekipe të ndryshme. Por, situata, rrethanat e krijuara kombëtare, përkrahja e Plisave sidomos në këtë aspekt, kishin bërë që “Billi” lehtësisht të pranohej nga “KOP”-i në “Lindje”.
Autori i këtyre rreshtave vinte nga KOP-i në Lindje, por mendësinë e kishte të tifozëve nga “Perëndimi”. Por, bindjet patriotike kishin fituar edhe për autorin. Një nacionalist i proklamuar nëpër studio televizive si Bylbyl Sokoli, ishte akceptuar, pranuar dhe admiruar.
Ndërsa, po vinte ndeshja e 14 tetorit në Beograd. Kombëtarja kishte nisur triumfin historik më 7 shtator në Portugali me fitoren e madhe me golin e Bekim Balajt.
Euforia ishte rritur për një kualifikim të mundshëm për EuroFrance 2016. Rrugët kryqëzonin në Beograd. Autori i rreshtave nuk mungonte në ndeshjet e Kombëtares, as në një ditë pas martesës më 11 tetor në Elbasan kundër Danimarkës.
Domosdoshmërisht, biseda me kryetrajnerin e Prishtinës bëhej gjatë stërvitjes, gjatë nxemjes së lojtarëve për stërvitje.
“Nuk i njeh ti serbët!”
Ideja për të shkuar në Beograd ishte drithëruese, vetëm ta mendoje. Sokoli ishte kategorik: “Nuk i njeh ti serbët.” Fakt, ishte shumë më i vjetër, i anatemuar nga sistemi serbo-jugosllav. Por, kisha mbërritur moshën e pjekurisë 18-vjeçare edhe unë, nën okupim, nën luftë, nën bombardimet e NATO-s.
Nuk më dukej aq trim kur më fliste “profesori”. Më dekurajonte. “Nuk i njeh ti mirë serbët!” – e kishte përsëritur disa herë rresht.
A kishte të drejtë Bylbyl Sokoli?
Vazhdon në pjesën e katërt…