Prezantim i çuditshëm për Ardian Nuhiun nga KF Tirana

Ardian Nuhiu është zyrtarizuar si trajneri i ri i Tiranës, por mënyra e prezantimit të tij ka befasuar jo pak. Në vend të një postimi të zakonshëm në rrjetet sociale, klubi bardheblu ka zgjedhur të publikojë vetëm një „InstaStory“, e cila zhduket pas 24 orësh, njofton Panorama Sport.
Ky prezantim i pazakontë bie në kontrast me mënyrën se si janë paraqitur trajnerët e mëparshëm, duke ngjallur kureshtje nëse do të pasojë një njoftim më zyrtar apo ndonjë kronikë nga stërvitja. Nuhiu, i cili ishte një dëshirë e kahershme e klubit, rikthehet në punë vetëm një muaj pasi u largua nga Gjilani.
Për 46-vjeçarin nis një sfidë e re dhe mjaft delikate: debutimi në Kategorinë Superiore me klubin më të dekoruar në historinë e futbollit shqiptar.
Roberto Bordin është larguar nga Tirana
Panorama Sport, po ashtu ka mësuar se ai së bashku me ndihmësin Marko Veroneze kanë takuar lojtarët bardheblu më pas kanë marrë sendet e tyre dhe janë larguar.
Italiani e mori këtë vendim pas 7 ndeshjesh me kryeqytetasit, ku mori 4 humbje, 2 barazime dhe 1 fitore, atë në derbin me Partizanin.


