Granit Xhaka
Juventusi e ka vënë në shënjestër mesfushorin shqiptar, Granit Xhaka, për ta përforcuar repartin qendror gjatë kësaj vere.
Sipas Tuttosport dhe Gazzetta dello Sport, bardhezinjtë kanë shfaqur interes konkret për lojtarin e Bayer Leverkusenit, i cili së fundmi është përfolur edhe për një transferim te Milani.
Xhaka shihet si një nga opsionet kryesore në listën e drejtorit të ri sportiv të Juventusit, Damien Comolli, i cili po përgatit shitjen e Douglas Luiz për të hapur rrugën e afrimit të një mesfushori të ri.

Përveç Xhakës, në listë janë edhe Yves Bissouma i Tottenhamit, Morten Hjulmand i Sporting CP dhe Florentino Luis i Benficës. Bissouma ka tërhequr vëmendjen falë formës së mirë dhe suksesit me Tottenhamin në Ligën e Evropës, ndërsa marrëdhëniet e mira të Comollit me klubin londinez mund të ndihmojnë në realizimin e një marrëveshjeje. Vlerësimi i tij është nga 15 deri në 20 milionë euro.
Ndërkohë, një tjetër opsion më ekonomik është Wilfred Ndidi i Leicester Cityt, i cili ka një klauzolë lirimi prej 9 milionë eurosh.
Megjithatë, eksperienca dhe profili lider i Granit Xhakës e bëjnë atë një alternativë shumë serioze për mesfushën e Juventusit, që synon rikthimin në majat e futbollit italian dhe evropian.