
Klubi i Futbollit Malisheva ka zyrtarizuar emërimin e Qatip Osmanit si kryetrajner të ri të ekipit. Me një përvojë të gjatë dhe një karrierë të suksesshme në futbollin e rajonit, Osmani pritet të sjellë eksperiencë dhe vizion në pankinën e klubit kosovar, thuhet ndër tjera në prezantimin nga skuadra.
Emri i tij lidhet me suksese të shumta në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, ku ka fituar trofe dhe ka ndërtuar skuadra konkurruese. Strategu tetovar tashmë do të udhëheqë FC Malishevën në rrugëtimin e ri drejt objektivave të vendosura për sezonin e ardhshëm.
Pritshmëritë ndaj trajnerit të ri janë të larta, teksa klubi synon të forcojë pozitat në elitën e futbollit kosovar dhe të vazhdojë ngritjen e tij në arenën vendore, thuhet në vazhdim të prezantimit.