Sot, e shtunë – 20 shtator, në orën 15:00, zhvillohet java e tetë e Raiffeisen Ligës së Parë. Pas shtatë xhirove të para, gara është bërë edhe më interesante, me Vëllaznimin që kryeson tabelën dhe Tefik Çangën e Dinamon që ndjekin nga afër. Kjo javë sjell disa duele të forta që mund të ndikojnë dukshëm në renditje.
Përshkrimi i ndeshjeve të javës 8-të:
Trepça ’89 – KEK-u
Trepça ’89 synon të shfrytëzojë epërsinë e fushës për të mbajtur hapin me rivalët e kreut dhe sidomos pas nje barazimi jo të keq kundër Vëllaznimit në fundjavë, ndërsa KEK-u kërkon pikë për t’u larguar nga zona e ftohtë edhe pse ende nuk dihet kush do t’i prijë skuadrës pas dorëheqjes së trajnerit Afrim Visoka.
Vushtrria – Vjosa
Një duel i pabarabartë në letër. Vushtrria kërkon fitoren për të qëndruar në zonën e sipërme, ndërsa Vjosa tenton të ndalet pas humbjeve të shpeshta. Vushtrria pas humbjes në Ferizaj me Tefik Çangën, por pas konsilidimit në udhëheqjen e klubit, kërkon t’i rikthehet fitoreve. Vjosa në mesjavë ka arritur fitoren e parë në edicion kundër KEK-ut, ndërsa është vetëm ekipi i tretë që ka mposhtur Vushtrrinë e Armend Dallkut në dy edicionet e fundit.
Feronikeli 74 – Tefik Çanga (Ndeshja transmetohet në TV)
Një nga përballjet më të forta të javës. Feronikeli 74 është pranë kreut, por përballë ka Tefik Çangën, që renditet i dyti dhe synon kryesimin. Ferizajasit tentojnë që të mos jenë më befasi, kurse Feronikeli, mbase favoriti kryesor i Ligës së Parë, sidomos me moral të lart pas barazimit në derbi në Prizren me Lirinë.
2 Korriku – Liria
2 Korriku mbetet pa pikë pas shtatë javëve dhe do të kërkojë të surprizojë Lirinë, që megjithëse është në mesin e tabelës, po shfaqet stabile dhe konsiderohet favoriti i dytë në Ligën e Parë. Liria konsiderohet favorit absolut në këtë përballje, por edhe 2 Korriku diku duhet të filloj të marrë pikë.
Istogu – Rilindja 1974
Dy skuadra që luhaten në mes-tabelë. Istogu ka shansin të forcohet në shtëpi, ndërsa Rilindja 1974 kërkon pikë pas një starti të vështirë, por pas fitores ndaj 2 Korrikut. Përndryshe një mini-derbi regjional.
Prizreni – Dinamo
Prizreni, ende pa fitore, përballet me një Dinamo që është në formë të mirë dhe kërkon të ruajë pozitën e tretë në renditje. Dinamo me kryetrajner të ri ka arritur dy fitore rresht. Por, edhe prizrenasit, si 2 Korriku, diku duhët të tentojnë fitoren e parë.
Trepça – Suhareka
Fitorja do të jetë jetike për ambiciet e Trepçës, por edhe Suhareka synon të marrë pikë të vlefshme me skuadër të re. Megjithatë, pas një fitore me rikthim të madh në udhëtim të vështirë në Hogosht, Trepça konsiderohet favorit i madh në këtë përballje. Në ndeshjen e fundit në shtëpi, Trepça kishte fituar 7-1 ndaj Besës.
Ramiz Sadiku – Kika
Një duel i drejtpërdrejtë mes skuadrave që ndodhen në mesin e tabelës. Ramiz Sadiku dhe Kika kanë shanse të barabarta, por skuadra vendase shihet favorite.
Vëllaznimi – Besa
Kryesuesit e tabelës, Vëllaznimi, presin Besën, e cila ende nuk ka bindur këtë sezon. Vëllaznimi do të kërkojë fitoren për të ruajtur vendin e parë. Ndeshja konsiderohet derbi i Dukagjinit, ndërsa pejanët në ndeshje hyjnë me ndryshime në shtabin teknik, pas Papuçit tani skuadrës i prin Miftar Rama.

