Franco Mastantuono është zyrtarisht që nga sot lojtari më i ri i Real Madridit.
Klubi mbretëror ka njoftuar arritjen e marrëveshjes për transferimin e supertalentit 18-vjeçar nga River Plate, duke mbyllur me shpejtësi një operacion që e vuri në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Paris Saint-Germainin. Klubi argjentinas kërkoi nga francezët pagesën e plotë të klauzolës së largimit, në vlerën prej 45 milionë eurosh.
Mastantuono ka lënë tashmë një përshtypje të fortë në fushë dhe konsiderohet si një nga futbollistët më premtues argjentinas të momentit. Ai është titullar i rregullt në formacionin e River Plate dhe mund të luajë si krah i djathtë apo mesfushor ofanziv.
Loja e tij shpesh nis nga krahët, ku depërton drejt qendrës për të shfrytëzuar këmbën e majtë jashtëzakonisht të saktë, me të cilën rrezikon shpesh nga distanca. Përveç kësaj, ai nuk ngurron të tërhiqet më thellë në mesfushë për të ndihmuar në ndërtimin e aksioneve.