Rilind Nivokazi debuton me gol – befasia e kësaj vere

Rilind Nivokazi

Një muaj pas transferimit nga Bellinzona te Sion, Rilind Nivokazi e nisi në mënyrën më të mirë aventurën e tij në Superligën zvicerane.

Sulmuesi shqiptar shënoi në fitoren dramatike 3:2 të Sionit ndaj Zurichut, duke qenë vendimtar në rikthimin e skuadrës nga disavantazhi 2:0.

Goli i tij në minutën e 81-të ishte sinjal i qartë se Sioni mund ta ketë gjetur më në fund qendërsulmuesin që i mungoi një sezon më parë.

rilind nivokazi

25-vjeçari, i lindur në Perugia dhe ish-lojtar i grumbulluar me Italinë U17-U18 dhe Kosovën U21, realizoi 18 gola sezonin e kaluar në Challenge League, duke ndarë çmimin e golashënuesit më të mirë.

Nivokazi ka spikatur me fizikun, teknikën dhe aftësinë për të finalizuar me të dyja këmbët e me kokë. Ai ishte kërkuar edhe nga St. Gallen, por zgjodhi të zhvillohej më tej te Sioni, klub që prej fillimit e kishte identifikuar si profilin e duhur për repartin ofensiv.

“Ky është lojtari që kemi kërkuar prej dy vitesh”, kishte deklaruar trajneri Didier Tholot – dhe në sfidën e parë të kampionatit, Nivokazi e vërtetoi pse.