“Momente tensioni u regjistruan në përfundim të sfidës mes Dritës dhe FCSB-së në Prishtinë. Pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit, tifozët vendas shprehën zemërimin për eliminimin nga Liga e Europës me thirrje raciste drejtuar lojtarëve rumunë”, thuhet në shkrimin e medias rumune gsp.ro, ndërsa jehonë i kanë dhënë edhe mediat serbe, posaqërisht ato të afërta me pushtetin, si Telegraf, përcjellë Kërlaçki.
“Pas fitores 3:1 në ndeshjen e kthimit dhe rezultatit të përgjithshëm 6:3 për FCSB-në, tifozët e Dritës – të mbetur në stadium – shpërthyen në sharje dhe thirrje fyese: “Cigani, cigani!”. Në atë kohë, lojtarët e bankinës së FCSB-së, përfshirë autorin e golit të tretë, Denis Politic, po zhvillonin stërvitje pas ndeshjes në fushë.
Futbollistët rumunë vendosën të mos reagojnë dhe u tërhoqën drejt një zone tjetër të fushës, ndërsa zyrtarët e klubit, përfshirë Mihai Stoica, përshëndetën drejtuesit e Dritës dhe përfaqësuesit e UEFA-s, përpara se të largoheshin të shoqëruar nga sigurimi”, thuhet në median rumune.
Grupi ultras i Dritës, i njohur si “Intelektualët”, ishte prezent në stadium, megjithëse në numër modest. Ata ndezën mjete piroteknike dhe tymuese në pjesën e parë, çka detyroi një zyrtar të klubit të ndërhynte për t’i qetësuar, për të shmangur ndonjë dënim të mundshëm nga UEFA.
Ndërsa, rumunët theksuan edhe incidentin me tifozët e Kopenhages.
“Nuk është hera e parë që ndeshjet e Dritës shoqërohen me tensione. Gjatë përballjes me Kopenhagën në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve, tifozët kosovarë dhe ata danezë u përleshën në qendër të Prishtinës disa orë para ndeshjes. Në incident u përfshinë 15-20 tifozë nga të dyja palët, të armatosur me shishe, tavolina dhe karrige. Një tifoz danez mbeti i plagosur, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën”.
Thirrjet raciste në ndeshjen ndaj FCSB-së mund të sjellin pasoja të rënda për klubin nga Kosova, pasi UEFA ka një politikë të qartë të tolerancës zero ndaj racizmit në futboll – thuhet në fundin e tekstit.
Kurse nga Telegraf i Serbisë, ndër tjera shkruajnë:
“Skandal i madh me tifozët e ekipit nga e ashtuquajtura Kosovë. Një skandal i madh ndodhi në Prishtinë gjatë ndeshjes Drita – FCSB, ku mysafirët nga Rumania fituan me rezultatin 3:1, duke triumfuar edhe në ndeshjen e parë, e cila përfundoi 3:2 në favor të rumunëve”, thuhet nga Telegraf, të cilët çuditërisht për ndeshjet e skuadrave kosovare informohen nga shteti fqinj rumun.