KHF Samadrexha

Samadrexha ka dalë fituese në derbin e javës së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll (femrat), duke mposhtur kampionin në fuqi, Istogun, me rezultat bindës 30:20.

Përballja u zhvillua të shtunën mbrëma në palestrën “Afrim Bunjaku”, ku vendaset treguan dominim sidomos në pjesën e dytë. Pas një pjese të parë të baraspeshuar që përfundoi me epërsi minimale për Samadrexhën (13:12), në pjesën e dytë lojtaret shpërthyen me lojë të fuqishme dhe krijuan epërsi prej dhjetë golash në fund.

Më e dalluara për Samadrexhën ishte Jennifer Abreu Toledo me 8 gola, e ndjekur nga Arona Krasniqi me 7 dhe Tina Hetemi me 6. Te Istogu u veçuan Farida Mabrouk me 5 gola dhe Olikaka Balotinelle me 4.

Kjo ishte fitorja e pestë rresht për Samadrexhën, që tashmë kryeson e vetme tabelën me 10 pikë. Ndërkohë, Istogu pësoi humbjen e parë pas katër fitoreve dhe mbetet me 8 pikë.

Fitore të pritura në ndeshjet tjera

Në dy takimet tjera të zhvilluara të shtunën, nuk pati surpriza.

Shqiponja e Gjakovës fitoi ndaj Terezës së Obiliqit me rezultat 43:31. Braziliania Ana Carolini Gonçalves ishte protagoniste me 10 gola, ndërsa Juleidt Lourençao realizoi 9 dhe Alma Nivokazi 8. Te Tereza u dallua Kaltrina Paci me 9 gola dhe Melike Ipçi me 7.

Për Shqiponjën ishte fitorja e katërt sezonale, ndërsa Tereza regjistroi humbjen e dytë.

Ndërkohë, Prishtina triumfoi si mysafire ndaj Besës në Pejë me shifra të thella 47:23. Celine Sia Tolno realizoi 11 gola për prishtinaset, ndërsa Eduarta Kurteshi shtoi edhe 10. Edona Radoniqi ishte më efikasja për Besën me 11 gola, ndërsa Arnesa Polaca dhe Samanda Konjuhaj kontribuan me nga katër.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina ka bilanc prej dy fitoreve dhe tri humbjesh, ndërsa Besa vazhdon pa pikë pas gjashtë xhirove.