
Dy skuadra shqiptare, KF Shkëndija dhe FK Egnatia, do të zbresin sot në fushë për të zhvilluar ndeshjet kthyese të raundit të parë kualifikues në UEFA Champions League, me ambicie të qarta për të siguruar kalimin në raundin tjetër.
Shkëndija pret The New Saints nga 20:00 në “Todor Proeski Arena”, Shkup. Pas barazimit pa gola (0-0) në sfidën e parë në Uells, Shkëndija rikthehet në shtëpi me shpresë të madhe për kualifikim.
Tetovarët do të kenë përkrahjen e tifozëve në stadiumin kombëtar të Shkupit dhe do të kërkojnë të zgjidhin gjithçka brenda 90 minutave.
Me një përvojë të pasur evropiane, Shkëndija mbetet favorite në letër, por duhet kujdes maksimal ndaj një rivali që di të mbrohet dhe të befasojë me kundërsulme.
Në anën tjetër, Egnatia luan si mysafir i Breidablik nga ora 21:00 në Islandë. Egnatia shkon në Islandë me një fitore 1:0 të regjistruar në ndeshjen e parë falë golit të Ildi Grudës.
Rrogozhinasit kanë përparësi, por e presin një sfidë të vështirë ndaj Breidablikut, që në vitet e fundit ka qenë i rregullt në garat evropiane.
Egnatia do të tentojë të ruajë avantazhin dhe të shkruajë një tjetër faqe historike, duke kaluar për herë të parë në një raund tjetër të Ligës së Kampionëve.