Shkëndija e fokusuar te Qarabag, por UEFA ka përcaktuar tashmë kundërshtarët e mundshëm për “play-off”

Shkëndija - Steaua

Futbollistët e Shkëndijës janë të përqendruar maksimalisht në përballjen e rëndësishme kundër Qarabag-ut nga Azerbajxhani, në kuadër të turit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, UEFA ka hedhur tashmë shortin për fazën “play-off”, duke përcaktuar çiftet e mundshme në këtë fazë vendimtare për hyrjen në grupet e Champions League.

Sipas shortit të zhvilluar sot në Nion të Zvicrës, fituesi i përballjes Shkëndija – Qarabag do të përballet në “play-off” me fituesin e çiftit Ludogorets (Bullgari) – Ferencvaros (Hungari).

Nëse Shkëndija arrin të kalojë Qarabag-un, ndeshjen e parë të fazës “play-off” do ta zhvillojë si mysafire më 20 gusht, ndërsa takimi i kthimit do të luhet në Shkup, më 27 gusht.


Çiftet e fazës “play-off” (Rruga e kampionëve):

Ludogorets / Ferencvaros – Shkëndija / Qarabag

Lech Poznan / Crvena Zvezda – Dinamo Kiev / Pafos

Bodo/Glimt – Sturm Graz

Celtic – Kairat / Slovan Bratislava

Basel – Malmö / Kopenhagen

Shorti i LK

Shkëndija është aktualisht klubi i dytë më i suksesshëm shqiptar në arenën evropiane, pas Skënderbeut të Korçës.

Tetovarët kanë tashmë një histori të pasur ndërkombëtare dhe me një kualifikim ndaj Qarabag-ut, do të jenë një hap larg hyrjes në fazën e grupeve – objektiv historik për klubin dhe futbollin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.