Ish-lojtari i Rubin Kazanit, Aleksei Popov, ka folur për transformimin e Mirlind Dakut në një intervistë për Business Online, duke vënë në pah pjekurinë dhe përmirësimin e sulmuesit kosovar.
“Më duket se është bërë më i qetë, ndoshta për shkak të përshtatjes së mirë në Rusi. Ka një karakter të ndërlikuar, sipas thashethemeve, por duket se ka fituar pjekuri dhe është bërë më profesional në qasjen ndaj futbollit. Është një lojtar i larmishëm – gjë që nuk është e zakonshme,” u shpreh Popov.
Këtë javë, Daku u rendit në mesin e gjashtë sulmuesve më të mirë në historinë e Rubin Kazanit, një tjetër tregues i ndikimit të tij te klubi rus.
Me 29 gola të shënuar në të gjitha garat, ai tashmë ka lënë gjurmë të thella në vetëm tre sezone.
Në sezonin aktual, Daku ka realizuar tre gola në Premier Ligën ruse, duke u renditur në vendin e dytë në listën e golashënuesve, dhe duke treguar se është gati për një tjetër sezon të madh me Rubin Kazanin.