Diego Simeone
Mbrëmje e tensionuar për Atlético Madrid në Anfield. Pavarësisht përmbysjes së rezultatit nga 2-0 në një 2-2 të jashtëzakonshëm falë Llorente-s, një gol në minutat e fundit nga Van Dijk vulosi humbjen e skuadrës spanjolle dhe ndezi nervat në fushë… por edhe jashtë saj.
Simone giving it to Liverpool fans
Hahahaha pic.twitter.com/FPcYOICdgB
— jgnufc1 (@jgnufc1) September 17, 2025
Trajneri Diego Simeone pati një përplasje të ashpër me një pjesë të publikut, duke u përballur drejtpërdrejt me disa tifozë. Situata u bë aq e tensionuar sa që trajneri u ndalua fizikisht nga bashkëpunëtorët e tij dhe nga katër anëtarë të sigurisë.
Sipas Simeone-s, shkak u bë një gjest përçmues nga një tifoz në rreshtin e parë – gishti i mesit i drejtuar nga ai – një provokim i dukshëm për shkak të afërsisë së stolave me tribunën në stadiumin e Liverpoolit.
Pavarësisht shpjegimeve të trajnerit përballë gjyqtarit të katërt, se reagimi i tij ishte pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, arbitri kryesor e ndëshkoi me karton të kuq. Simeone u detyrua të largohej nga fusha i irrituar, mes fishkëllimave dhe talljeve të mëtejshme nga tifozët në hyrje të tunelit.
Përjashtimi i Simeone-s
Kjo nuk është hera e parë që tekniku argjentinas përfshihet në përplasje me publikun anglez. Në vitin 2022, ai u largua nga “Old Trafford” nën një breshëri shishejesh. Më herët, në vitin 2019, u gjobit me 20.000 euro për sjellje të papërshtatshme, pas një gjesti të pahijshëm në ndeshjen kundër Juventusit të Cristiano Ronaldos. Tani pritet vendimi i UEFA-s, e cila është e njohur për dënime të rrepta në raste të tilla.
Deklaratat e Simeone-s pas ndeshjes
“Gjithë ndeshjen kam dëgjuar ofendime, por jam unë ai që duhet të qëndroj i qetë, të duroj gjithçka – fyerje, gjeste…”, u shpreh Simeone për Movistar, përcjellë Kërlaçki.“Ata flasin për mbrojtjen e spektaklit, por më ofenduan gjatë gjithë kohës nga pas dhe unë nuk mund të reagoja sepse jam trajner. Nuk është e justifikueshme ajo që bëra, por është e vështirë të durosh 90 minuta ofendime pa pushim.”
“Në momentin e golit të tretë, thjesht u ktheva dhe ofendimet vazhduan. Ishte një shpërthim tensioni. Gjyqtari më tha se më kuptonte, por shpresoj që Liverpool-i të marrë masa dhe, nëse identifikohet personi që bëri atë gjest, të ketë pasoja”, shtoi ai.
Analiza e ndeshjes
“Goli i parë i pësuar na doli nga plani i ndeshjes, por shpirtin dhe cilësinë e djemve nuk ua mohoi askush. Llorente bëri një ndeshje të jashtëzakonshme dhe na ngriti nivelin. Ata janë shumë të fortë, por e kishim ndeshjen në fije deri tek ai supergol i Van Dijk, që na la me një shije të hidhur, por me shumë krenari për përpjekjen.”