106 vjet më parë, ndodhi një nga skandalet më të mëdha në historinë e sportit profesionist: Mafia amerikane trukoi Finalen e Ligës së Madhe të Baseballit, e njohur si “World Series” e vitit 1919. Ky episod mbetet simbol i mënyrës se si krimi i organizuar ka ndërhyrë në sport për përfitime të mëdha nga bastet – dhe paralelizmi me skandalet moderne, si rasti i fundit i përfshirjes së lojtarëve si Ortiz dhe Clase në MLB, tregon se historia ka tendencë të përsëritet.
Amerika e viteve ’20: një fuqi me kontradikta
Në fillim të viteve 1920, SHBA ishte tashmë një superfuqi, por me kontraste ekstreme sociale e ekonomike. Ishte një epokë kur emigrantët nga Evropa dhe Azia mbushnin qytetet, ndërsa krimi i organizuar lulëzonte në hijet e korrupsionit politik dhe mungesës së rregullimit ligjor.
Në këtë kontekst, Mafia italiane dhe ajo hebreje kishin filluar të përhapen fuqishëm, veçanërisht në qytete si New York. Ngritja e tyre u përshpejtua me fillimin e Prohibicionit, që ndaloi prodhimin dhe shitjen e alkoolit dhe i dorëzoi këtë industri mafies. Sporti nuk mbeti jashtë kësaj përfshirjeje.
Një pronar koprac dhe një ekip i pakënaqur
Ekipi i Chicago White Sox, kampion në vitin 1917, u rikthye në finalen e 1919-ës për të sfiduar Cincinnati Reds. Por atmosfera brenda skuadrës ishte toksike, për shkak të pronarit të saj, Charles Comiskey, i njohur për koprracinë ekstreme.
-
Ai nuk i paguante lojtarët për larjen e uniformave.
-
U premtoi shpërblime që nuk i dha kurrë – në vend të tyre, një kuti shampanje e lirë.
-
Për të shmangur bonuset, i linte lojtarët në stol kur ishin afër përmbushjes së kushteve.
Kjo e shtyu një grup lojtarësh, të udhëhequr nga Chick Gandil, të bien dakord me bastvënësin Joseph Sullivan për të trukuar ndeshjet – me ndihmën e Arnold Rothstein, “bos-i” i mafies hebreje, i cili investoi 80,000 dollarë (sot rreth 1.5 milionë €) për trukimin.
Ndeshja që bëri histori
Skema ishte e qartë: Chicago do të humbiste me qëllim. Në ndeshjen e parë, Cicotte qëlloi me top një kundërshtar si shenjë që marrëveshja kishte nisur. Cincinnati fitoi 9-1. Mediat nisën të dyshojnë – gazetari Hugh Fullerton numëroi lëvizjet e dyshimta në fushë. Edhe pse White Sox fituan dy ndeshje për të shmangur dyshimet, kërcënimet e Rothstein i kthyen në rrugën e “gabuar” – Cincinnati fitoi në ndeshjen e tetë.
Pasojat
-
Lojtarët nuk morën të gjitha paratë e premtuara.
-
Në vitin 1920, një juri hetimi në Çikago e hapi çështjen, por askush nuk u dënua penalisht – trukimi nuk ishte ende krim sipas ligjit.
-
Megjithatë, MLB i dëboi përgjithmonë tetë lojtarët e përfshirë. Njolla “Black Sox” ndjek ende historinë e ekipit, që nuk fitoi më një World Series deri në vitin 2005.
Arnold Rothstein: krimineli që u bë legjendë
Rothstein doli i pastër, si zakonisht. Eleganca dhe mençuria e tij e bënë të famshëm. Thuhej se butonat prej fildishi që mbante në mëngë ishin dhëmbë të armiqve të tij. U vra në vitin 1928 për një borxh basti, por la pas një trashëgimi që përfshinte emra si Lucky Luciano, Meyer Lansky dhe Bugsy Siegel – themelues të mafies moderne amerikane.
Komiskey: i urryer, por në Hall of Fame
Charles Comiskey vdiq në vitin 1931, i përçmuar nga lojtarët dhe komuniteti i baseball-it, por paradoksalisht, emri i tij ndodhet në Hall of Fame.
Trashëgimia e Black Sox është më shumë se një skandal sportiv: është një paralajmërim se kur lakmia, padrejtësia dhe krimi përplasen në fushë, sporti humbet më shumë sesa vetëm një ndeshje.
