Skuadra e Guardiolës me vetëm 32.8% posedim – shifra më e ulët ndonjëherë. Arsenal dhe Manchester City barazuan 1-1 në “Emirates” në ndeshjen e javës së pestë të Premier League. Erling Haaland shënoi për City në minutën e 9-të, ndërsa Gabriel Martinelli barazoi për Arsenalin në minutat shtesë të pjesës së dytë.
Sipas BBC, Manchester City e mbylli ndeshjen me vetëm 32.8% posedim të topit, shifra më e ulët ndonjëherë për një skuadër të drejtuar nga Pep Guardiola. Zakonisht, ekipet e tij dominojnë në posedim, por këtë herë trajneri spanjoll zgjodhi një qasje ndryshe.
Guardiola i lejoi Mikel Artetës dhe Arsenalit të kontrollonin topin, ndërsa rastet më të rrezikshme City i krijoi përmes kundërsulmeve. Ironikisht, Arteta – ish-ndihmësi i Guardiolës – është vetë një pasues i stilit të “tiki-taka”-s, ku posedimi është themeli i lojës.
Pas këtij barazimi, Arsenali mban vendin e dytë me 10 pikë, pesë më pak se Liverpooli që ka ecuri perfekte, ndërsa Manchester City është në vendin e nëntë me vetëm 7 pikë në pesë ndeshje.
