
Skuadrat më të mira të futbollit evropian nisin sonte edicionin e ri të Ligës së Kampionëve, me disa përballje interesante që hapin garën për trofeun më të madh kontinental për klube.
Real Madrid e nis fushatën në “Santiago Bernabéu” ndaj Olimpik Marsejës nga ora 21:00, duke synuar fitoren e pestë radhazi ndaj francezëve, në debutimin e Xabi Alonsos si trajner në Champions.
Në Torino, Juventus pret Borussia Dortmundin, në një përballje të fortë mes dy gjigantëve evropianë.
Bardhezinjtë, pas suksesit ndaj Interit, kërkojnë të ruajnë dominimin ndaj gjermanëve, të cilët i kanë mposhtur në 6 nga 9 takimet e fundit.
Edon Zhegrova mungon sërish për shkak të problemeve fizike.
Në “San Mamés”, Arsenal përballet për herë të parë me Athletic Bilbaon, në rikthimin e spanjollëve në Champions pas një dekade.
Ndërkohë, Tottenham pret Villarrealin në një tjetër duel anglo-spanjoll, ndërsa mbrëmja plotësohet me ndeshjet PSV – Royale Union dhe Benfica – Qarabag.
