Ekipet shqiptare që përfaqësojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kualifikimet për Ligën e Kampionëve kanë regjistruar rezultate premtuese në ndeshjet e para të raundit të parë, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Drita e Gjilanit, kampione e Kosovës, mposhti kampionët e Luksemburgut, Differdange, me rezultat 1:0 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi sulmuesi Arb Manaj në pjesën e dytë, duke i dhënë Dritës një epërsi të rëndësishme para sfidës së kthimit në Luksemburg.

Egnatia e Rrogozhinës, kampione e Shqipërisë dhe debutuese në Ligën e Kampionëve, e nisi me fitore historike, duke mposhtur skuadrën islandeze Breidablik 1:0.
Goli erdhi në minutën e 93-të nga Medon Gruda, pas një ndeshjeje ku Egnatia dominoi dhe tregoi maturi taktike. Me këtë sukses, ekipi shqiptar udhëton drejt Islandës me epërsi dhe besim për kalimin në raundin tjetër.

Ndërkohë, Shkëndija e Tetovës, kampione e Maqedonisë së Veriut, barazoi pa gola në transfertë ndaj kampionëve të Uellsit, TNS.
Me një lojë të kujdesshme dhe disa raste të krijuara nga Liridon Latifi dhe Endrit Krasniqi, kuqezinjtë siguruan një rezultat të favorshëm përpara ndeshjes së kthimit në Shkup.

Të tri klubet shqiptare e nisin me rezultate pozitive aventurën evropiane, duke dëshmuar rritjen e cilësisë dhe ambicies në garat ndërkombëtare. Raundet e kthimit që zhvillohen javën e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e tyre në Ligën e Kampionëve.
