
FC Ferizaj ka prezantuar përforcimin më të ri në repartin ofensiv: Suad Sahitin, një emër i njohur në futbollin kosovar dhe më gjerë. Sulmuesi anësor, me përvojë të gjerë në kampionate ndërkombëtare, është bashkuar me klubin si lojtar i lirë.
Lëvizja e tij drejt Ferizajt vjen pas një periudhe të shkurtër pa klub, ndërsa gjatë vitit 2025 ishte pjesë e Prishtinës së Re dhe më herët i Feronikelit 74. Karriera e Sahitit përfshin klube nga Kroacia (Shibenik), Polonia (Wisła Płock), Bullgaria (Septemvri Sofia), Bosnja (Zrinjski Mostar), Greqia (AE Larisa), Shqipëria (Skënderbeu) dhe Maqedonia e Veriut (Rabotniçki, Shkup).
Që nga viti 2012, Sahiti ka kaluar në 15 skuadra të ndryshme, përfshirë edhe akademinë e Olympique Marseille U19, ku ka nisur formimin si futbollist. Lëvizja e vetme me tarifë transferimi të regjistruar në karrierën e tij është ajo nga Rabotnicki te Skënderbeu për 60 mijë euro, në sezonin 2017/18. Të gjitha kalimet e tjera janë realizuar si lojtar i lirë.
Transferimi i Suad Sahitit te FC Ferizaj shihet si një hap i rëndësishëm për klubin, që kërkon të përfitojë nga përvoja dhe cilësitë e një lojtari me eksperiencë shumëdimensionale. Aktivizimi i tij pritet të sjellë balancë dhe pjekuri në fazën ofensive të skuadrës.