Jon Dahl Tomasson
Jon Dahl Tomasson (49) nuk është më trajner i kombëtares suedeze. Federata Suedeze e Futbollit e shkarkoi atë pas humbjes 1:0 në shtëpi ndaj Kosovës të hënën, një rezultat që e la Suedinë në vendin e fundit të grupit kualifikues për Kupën e Botës.
“Vendimi i Federatës Suedeze të Futbollit bazohet në faktin se përfaqësuesja e meshkujve nuk ka arritur rezultatet që kishim shpresuar. Ende ekziston mundësia për kualifikim nëpërmjet fazës ‘play-off’ në mars, dhe përgjegjësia jonë është të krijojmë kushtet më të mira të mundshme për të arritur në finalet e Botërorit. Në këtë drejtim, besojmë se është i nevojshëm një drejtim i ri në formën e një trajneri të ri”, tha Simon Astrom, president i Federatës Suedeze të Futbollit.
Tomasson, ish-ylli i kombëtares daneze, grumbulloi vetëm një pikë në katër ndeshjet e deritanishme kualifikuese, duke barazuar në transfertë ndaj Sllovenisë. Pas kësaj, Suedia pësoi dy humbje nga Kosova dhe një tjetër nga Zvicra.
Ai mori drejtimin e kombëtares në shkurt të vitit 2024, duke u bërë i pari trajner i huaj në historinë e Suedisë. Më parë kishte drejtuar skuadrat Excelsior, Roda, Malmö dhe Blackburn Rovers.
Pavarësisht rezultateve të dobëta në grup, Suedia ka ende një mundësi përmes ndeshjeve shtesë, falë paraqitjeve të suksesshme në Ligën e Kombeve, ku nën drejtimin e Tomasson fitoi grupin në Ligën C.