Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka vendosur për të ardhmen e tij

Fisnik Asllani
Fisnik Asllani

Fisnik Asllani rinovon me Hoffenheim deri në 2029 – Werder mbetet pa yllin e Kosovës

Hoffenheim, 11 korrik 2025 – Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me SV Elversberg, sulmuesi i talentuar i Kosovës, Fisnik Asllani, ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij me TSG Hoffenheim, duke nënshkruar një kontratë të re që do ta mbajë atje deri në vitin 2029. Ky vendim i 22-vjeçarit ka bërë që Werder Bremen, i cili shihej si destinacioni kryesor i tij, të mbetet duarbosh.

Sipas burimeve të Transfermarkt, rinovimi i kontratës pritet të zyrtarizohet këtë të diel. Një rol vendimtar në këtë vendim ka pasur trajneri i ri i Hoffenheim, Christian Ilzer, i cili në bisedat e fundit i ka garantuar Asllanit një rol kyç në projektin e sezonit të ardhshëm në Bundesligë.

Fisnik Asllani, sezon i jashtëzakonshëm në Elversberg

Pas huazimit të suksesshëm te SV Elversberg, ku sulmuesi kosovar shkëlqeu me 18 gola dhe 9 asistime, duke ndihmuar ekipin të arrinte në ndeshjet “play-off” kundër 1. FC Heidenheim, Hoffenheim vendosi të investojë fuqishëm në të ardhmen e tij. Asllani shënoi dhe asistoi në dy ndeshjet vendimtare, megjithatë Elversberg nuk arriti dot promovimin.

Performanca e tij gjatë huazimit bëri që vlera e kartonit të Asllanit të rritej në 8 milionë euro, duke e bërë atë sulmuesin e dytë më të vlefshëm në skuadrën e Hoffenheim, pas nigerianit Gift Orban (10 milionë euro).

Werder dhe pista të tjera mbeten në hije

Gjatë javëve të fundit, Werder Bremen kishte shfaqur interes serioz për të transferuar Asllanin, veçanërisht pasi trajneri i ri i tyre është Horst Steffen, i cili drejtoi Elversberg sezonin e kaluar. Megjithatë, rinovimi i kontratës me Hoffenheim i ka dhënë fund këtyre spekulimeve. Përveç Werderit, ka pasur interesime edhe nga klube të tjera gjermane dhe europiane, sipas raportimeve të fundit të medias gjermane.

Një e ardhme premtuese për Kosovën

Asllani, i cili ka grumbulluar tashmë 5 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës, pritet të luajë një rol edhe më të madh në arenën ndërkombëtare, teksa tashmë do të ketë stabilitet dhe besim të plotë nga klubi i tij në Bundesliga.