Ten Hag shkruan historinë e hidhur: shkarkohet pas vetëm dy ndeshjeve te Leverkusen

Ten Hag
Ten Hag

Një lajm bombë tronditi futbollin gjerman: Erik ten Hag nuk është më trajner i Bayer Leverkusen. Vetëm dy muaj pas emërimit dhe dy ndeshje në Bundesligë, klubi njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin holandez.

Sipas raportimeve të Bild dhe Sky, përcjellë Kërlaçki, vendimi ishte marrë që të dielën. Leverkusen e bëri publik zyrtarisht të hënën në mesditë: “Bayer 04 ka vendosur të ndahet me efekt të menjëhershëm nga trajneri Erik ten Hag.”

Një epokë e mbyllur pa filluar

Ten Hag mori drejtimin më 1 korrik 2025 me kontratë deri në vitin 2027, por vetëm 61 ditë më vonë aventura e tij mori fund. Shkaku kryesor: nisja zhgënjyese e sezonit, me vetëm një pikë nga dy ndeshje dhe humbje besimi brenda klubit. Ky është tashmë rekordi negativ në historinë e Bundesligës – asnjë trajner nuk ishte shkarkuar kaq shpejt, vetëm pas dy ndeshjesh në stol

Për më tepër, marrëdhëniet mes tij dhe ambientit nuk funksionuan. Ish-trajneri i Manchester United arriti të humbiste mbështetjen e brendshme pas vetëm tre ndeshjeve zyrtare.

Pasuesi i përkohshëm dhe dilemat e klubit

Seancën e sotme stërvitore e drejtoi Rogier Meijer (43), ish-trajner i NEC Nijmegen, i cili deri tani ishte ndihmës i Ten Hag. Për stolin e përhershëm, mediat gjermane përmendin emra të bujshëm si Xavi Hernández, Marco Rose dhe Edin Terzic.

Nga zgjedhja e tretë tek dështimi rekord

Historia e Ten Hag te Leverkusen dukej e dënuar që në fillim. Pas largimit të Xabi Alonsos drejt Real Madridit, drejtuesit kishin siguruar pëlqimin e Cesc Fàbregas, por Como nuk e lejoi të largohej. Vetëm atëherë, me kohën që po mbaronte, Leverkusen firmosi me Ten Hag. Dy muaj më vonë, gjithçka përfundoi me një tjetër rekord – këtë herë, më negativin e mundshëm.

Ky rast e fut Ten Hag në listën e trajnerëve me karrierat më të shkurtra në stol, krahas emrave si Frank de Boer (shkarkuar pas 4 ndeshjesh te Crystal Palace) apo Les Reed (40 ditë te Charlton). Por në Bundesligë, dy ndeshje do të mbeten për një kohë të gjatë “rekordi” më i hidhur.