
Atmosferë e tensionuar është krijuar në ndeshjen e vlefshme për Conference League ndërmjet Novi Pazarit dhe Jagiellonia Bialystok, pas thirrjeve anti-Kosovë të dëgjuara nga tifozët polakë në stadium.
Ndeshja, që shënon debutimin historik të klubit nga Sanxhaku në garat evropiane, po zhvillohet në një atmosferë elektrizuese në Novi Pazar, ku stadiumi u mbush nga mijëra tifozë vendas. Tifozët e klubit boshnjak kanë krijuar entuziazëm të madh në qytet, duke pritur me padurim përballjen, por edhe me shqetësim për praninë e tifozëve kundërshtarë të njohur për qëndrimet e tyre pro-serbe.
Sipas raportimeve nga mediat lokale, tifozët e Jagiellonias kanë lëshuar parulla dhe thirrje fyese ndaj Kosovës, duke ngjallur reagime të ashpra në rrjete sociale dhe në opinionin publik të rajonit. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga UEFA për incidentin.
Kujtojmë se Novi Pazari, klub që përfaqëson komunitetin boshnjak të Sanxhakut, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të tensioneve etnike dhe përfshirjes së tifozëve në çështje të ndjeshme politike.
