Beshiktash u mposht të enjten mbrëma në shtëpi me rezultat 4:2 nga Shakhtar Donetsk, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës.
Sulmuesi anësor Milot Rashica e nisi ndeshjen nga minuta e parë për skuadrën turke, por u zëvendësua në minutën e 60-të pas një paraqitjeje jo bindëse.
Në momentin e largimit nga loja, Rashica u fishkëllye nga tifozët vendas, të cilët shprehën pakënaqësinë e tyre për performancën e reprezentuesit të Kosovës.
Mediat turke raportuan të premten se tifozët nuk janë të kënaqur me kontributin e Rashicës në këtë përballje.
29-vjeçari ka qenë pjesë e rëndësishme e Beshiktashit në dy sezonet e fundit, megjithëse është përfolur shumë për një largim të mundshëm gjatë këtij afati kalimtar.
Megjithatë, menaxheri i tij, Altin Lala, bëri të ditur në fillim të këtij muaji se Rashica do të vazhdojë të luajë për klubin edhe në sezonin e ri.
Rashica ka kontratë me klubin deri në vitin 2027.
