
Pas humbjes 2-1 në Prishtinë ndaj Dritës në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Conference League, tifozët e FC Differdange 03 kanë reaguar në komente e analiza në rrjete sociale, sidomos në transmetuesin rtl.lu, përcjellë Kërlaçki. Ndërsa disa flasin për padrejtësi arbitrare, të tjerë e pranojnë se skuadra e tyre nuk ishte në nivelin e duhur dhe se fati nuk mund të jetë justifikim i përhershëm.
Zemërim për kartonin e kuq dhe penalltinë
Një nga temat më të diskutuara është një karton i kuq që, sipas komentuesve, ishte krejtësisht i paarsyeshëm. Një tifoz i zhgënjyer shkruan: “E çuditshme që askush nuk përmendi kartonin e kuq që ishte tërësisht i padrejtë… ishte ulur koka, jo këmba lart.” Edhe një tjetër i bashkohet këtij shqetësimi, duke thënë: “Vështirë të thuash nëse ishte koka poshtë apo këmba lart. Por një karton i kuq? Kurrsesi.”
Në të njëjtën frymë një tjetër komentues kritikon gjyqtarin për favorizim të hapur ndaj ekipit kosovar: “Në fundin e ndeshjes, gjyqtari akordoi gjithçka në një drejtim, me disa vendime shumë të dyshimta.”
Ndaj “fatit” si justifikim – tifozët ndahen
Në një përplasje mendimesh, disa tifozë e vënë në dyshim narrativën që skuadra kishte thjesht “mungesë fati”. “Fati ka gjithmonë rol në futboll, por nuk mund të mbështetesh vetëm tek ai,” shkruan Johnny, ndërsa Trimurti është edhe më i drejtpërdrejtë: “Ç’lidhje ka ‘fati’? Thjesht nuk ishin të mirë mjaftueshëm!”
Nga ana tjetër, Lux-Scoop mban një qëndrim më optimist, duke e quajtur rezultatin të padrejtë: “Të dy ekipet janë afërsisht të barabarta. Në kthim, kosovarët mund të munden.” Por komenti i VaccinGrippeAnnuel e përmbys këtë ide me një gjykim të ftohtë: “Më falni, por të humbasësh 3 herë nuk do të thotë se jeni ‘të barabartë’…”
Shpresa për kthim, me më shumë ofensivë
Pavarësisht kritikave, disa tifozë ruajnë shpresën për një rikthim në ndeshjen e kthimit. Punktopdeni, në një koment të dytë, thekson: “Differdange ende ka shanse në kthim – me kusht që të jenë më ofansivë që në fillim”.
Tifozët e Differdange janë të ndarë në mendime: një pjesë e fajësojnë gjyqtarin, një pjesë vetë skuadrën, dhe disa shohin te ndeshja e kthimit mundësinë për të përmbysur rezultatin. Një gjë është e sigurt – ndeshja në Luksemburg pritet me shpresë për vendasit .