Tifozët e Hajdukut ishin të shqetësuar për Ron Raçin – bëhet fjalë për ndërhyrjen kirurgjikale që i është bërë shumë kohë më parë

Ron Raçi

Hajduku i Splitit ka zyrtarizuar javën e shkuar transferimin e mbrojtësit, Ron Raçi nga FC Prishtina për një shumë prej 300 mijë eurosh. 22-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2029 dhe do të mbajë fanellën me numër 14.

Të mërkurën, klubi kroat publikoi foto nga stërvitja e fundit para ndeshjes së kthimit kundër Zira-s, të cilën e fitoi pas vazhdimeve 2-1, duke kaluar në raundin tjetër të Ligës së Konferencës.

Në një nga fotot, tifozët vunë re diçka në gjurin e djathtë të Raçit dhe nisën të shqetësohen në rrjetet sociale, shkruan Index.hr.

Megjithatë, klubi ka sqaruar se mbrojtësi ka pasur një operacion të vjetër në atë gju, kur ishte 13 ose 14 vjeç, dhe se tani është plotësisht i shëndetshëm.

ron raçi

Raçi ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe tashmë është pjesë e ekipit të parë nën urdhrat e trajnerit Gonzalo Garcia.

Për shkak të paraqitjeve të mëhershme me Prishtinën në ndeshjet e raundit të parë të Europa League kundër Sheriff Tiraspol, Raçi nuk do të ketë të drejtë të luajë për Hajdukun në kualifikueset e këtij edicioni evropian, për shkak të rregullores së UEFA-s.

Ai do të jetë në dispozicion për ndeshjet evropiane vetëm nëse Hajduku kalon në fazën e grupeve.

Ndërkohë, debutimi i tij në kampionatin kroat mund të ndodhë sot, ku Hajduku e nis sezonin në SuperSport HNL ndaj Istrës, në “Poljud”. ku Raçi është në bankën rezervë.

 

Trajneri Garcia ka paralajmëruar se Raçi mund të presë ende për debutim: “Ideja është të luajmë me mbrojtësit që kanë luajtur deri tani, kështu që mendoj se Raçi do të duhet të presë pak më gjatë për të nisur”.