Promovimi i gjyqtarëve të rinj, e sidomos i vajzave në nivelet e larta të futbollit, është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e sportit në vend. Një rast i tillë që meriton vëmendje është debutimi i 24-vjeçares Tina Tërnava, e diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik, e cila gjykimin e nisi në vitin 2022.

Tërnava sot bëri debutimin e saj në Ligën e Parë të Kosovës, duke gjykuar ndeshjen e javës së dytë ndërmjet Vjosës dhe Dinamos në Shtime.
Në vitin e kaluar, në këtë rang u promovuan edhe gjyqtaret Rita Vehapi dhe Fitore Govori, ndërsa shumë shpejt pritet debutimi i një tjetër gjyqtareje të re, Rinesa Kryeziu.

Ky trend dëshmon përfshirjen dhe fuqizimin e grave në futbollin kosovar, duke krijuar një perspektivë të re për gjykimin e ndeshjeve në nivelet më të larta të garave.
