Kalo te përmbajtja
Mittwoch, 5 August 2026
Raiffeisen Liga e Parë

Torcida e vendosur për ndryshime: „Kauza s’ndalet pa largimin tuaj!“

Pavarësisht rezultatit pozitiv në derbin ndaj Trepçës ’89, ku skuadra e Trepçës arriti të barazojë 1-1 pas më shumë se 80 minutash me një lojtar më pak, tensioni mes tifozëve dhe drejtuesve të klubit vazhdon të jetë i lartë. Torcida, grupi më i zjarrtë i tifozëve mitrovicas, ka përcjellë një mesazh të qartë: “Kauza do të ndalet, atëherë kur ju s’do të jeni më në klubin tonë!”

Torcida
Torcida

Trepça, nën drejtimin e trajnerit Emin Baliqi, ka bërë një nisje të fortë të sezonit, duke grumbulluar 7 pikë në tre ndeshje dhe duke u pozicionuar në krye të tabelës. Por kjo nuk mjafton për të qetësuar pakënaqësitë e tifozëve, të cilët kërkojnë reformim të brendshëm dhe largimin e disa figurave drejtuese të klubit.

Në ndeshjen e sotme të zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta”, ishin të pranishëm edhe figura kyçe si Avni Haxhiu, kryetari i klubit Trepça, Bedri Hamza, kryetari i Komunës së Mitrovicës, dhe Abedin Zeka kryetar i Trepçës ’89. Megjithatë, përkrahja e fuqishme nga Torcida iu dedikua vetëm ekipit dhe jo udhëheqësve të pranishëm.

Atmosfera në stadium ishte elektrizuese, me një numër të madh tifozësh që krijuan një ambient të jashtëzakonshëm sportiv, por mesazhet nga tribunat treguan qartë se marrëdhënia mes tifozërisë dhe drejtuesve mbetet e acaruar.

Tifozët kërkojnë më shumë transparencë, përkushtim dhe vizion për të ardhmen e klubit, ndërsa tensionet duket se nuk do të qetësohen pa ndryshime të prekshme në menaxhimin e Trepçës.

Emin Baliqi pas derbit mitrovicas: I kënaqur me përkushtimin, barazimi ishte i merituar