
Pas humbjes së thellë 4-0 që Kosova pësoi ndaj Zvicrës, analisti i futbollit Jusuf Tortoshi ka dhënë një vlerësim kritik për paraqitjen e “Dardanëve”.
Sipas tij, ndeshja u mbyll që në pjesën e parë, kur helvetikët shënuan të katër golat.
“Ka vend shumë për analiza për këtë lojë të dobët. Nuk funksionoi asgjë. Ndeshja përfundoi që në pjesën e parë me rezultatin 4-0. Gabimet individuale na kushtuan shtrenjtë,” tha Tortoshi.
Ai theksoi se Kosova pësoi gola të lehtë, duke e krahasuar lojën me një stërvitje.
“Goli i parë erdhi nga mungesa e perceptimit të lojtarit tonë. Te i treti, na shënon mbrojtësi i djathtë pa u ndjekur nga askush. Nuk patëm presing, as topin nuk e mbajtëm më shumë se tre-katër sekonda. Mesfusha nuk ekzistoi. Kemi marrë gola sikur në stërvitje, thjesht nga mosvrapimi,” shtoi ai.
Në analizën e tij, Tortoshi u ndal edhe te paraqitja individuale e disa futbollistëve.
“Rexhebecaj u përmend dy-tre herë, por ishte i fshehur në lojë. Leon Avdullahun nuk e pashë në asnjë lëvizje konkrete. Ndoshta është herët për ta kritikuar, pasi ishte ndeshja e tij e parë, por nga mesfusha nuk pashë asgjë,” deklaroi ai.
Megjithatë, Tortoshi vuri në dukje se në pjesën e dytë pati disa ndryshime, por që nuk sollën rezultat.
“Pjesa e dytë u ndryshua diçka, normale, por nuk arritëm asgjë,” përfundoi ai.