Julio Sergio

Julio Sergio

Një tragjedi e rëndë ka goditur ish-portierin brazilian Julio Sergio Bertagnoli, i njohur në Itali për paraqitjet e tij në Serie A me Romën, ku ishte titullar kryesisht gjatë viteve 2009–2011. Aktualisht trajner në klubin brazilian Coritiba, Julio Sergio ka dhënë lajmin më të dhimbshëm për një prind: ndarjen nga jeta të djalit të tij 15-vjeçar, Enzo, përcjellë “Kërlaçki”.

Enzo, i lindur në Romë gjatë kohës kur babai i tij ishte pjesë e ekipit verdhekuq, vuante prej pesë vitesh nga një formë agresive e kancerit.

Situata e tij ishte bërë publike nga vetë Julio Sergio, i cili kishte ndarë me ndjekësit e tij edhe përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të djalit. Pak ditë më parë, Enzo ishte futur në koma të induktuar farmakologjikisht, pa asnjë shpresë reale për rikuperim.

Vetëm në fillim të këtij muaji, ish-portieri kishte postuar një foto në rrjetet sociale ku shihej duke rruar flokët në shenjë solidariteti me djalin e tij, në prag të një cikli të ri e të rëndë kimioterapie.

“E vizitova Enzon… situata është e pakthyeshme. Ai është në koma të induktuar, i qetësuar sipas nevojës, me oksigjen. Por gjëja më e rëndësishme: është në paqe, i rrethuar nga prindërit, familja, ne – nuk ndien më dhimbje,” kishte shkruar Julio Sergio disa orë para njoftimit tragjik.

Enzo iu nënshtrua një operacioni të parë në vitin 2022 dhe në fillim kishte shpresa për përmirësim. Megjithë moshën e re, ai ishte kthyer në një zë të fuqishëm për ndërgjegjësimin rreth kërkimeve kundër kancerit në Brazil. Mes shumë figurave që e mbështetën publikisht, ishin edhe Cristiano Ronaldo, Gianluigi Buffon dhe Francesco Totti – kapiteni i babait të tij në kohën kur Enzo erdhi në jetë.