Mevlan Zeka dhe Adrian Mihalcea
Trajneri Adrian Mihalcea nuk do të mund të mbështetet te sulmuesi i vetëm në dispozicion, Mevlan Zeka, i cili u kthye në Kosovë, madje siç mëson Kërlaçki, ai po kërkon edhe klub, duke mos menduar të kthehet në Rumani.
Zeka kërkoi të kthehej në Kosovë pas kampit stërvitor në Slloveni për arsye familjare dhe ende nuk është rikthyer te ekipi.
Lojtari ka informuar drejtuesit e klubit se gruaja e tij është në spital, ndërsa fëmijët janë vetëm në shtëpi, duke e bërë të pamundur prezencën e tij me skuadrën.
Në lidhje me të ardhmen e Zekës në ekip ka folur trajneri Mihalcea, i cili ka shpresuar që sulmuesi gjakovar të kthehet.
“Nuk kam informacion nëse ai do të heqë dorë nga vazhdimi me UTA. E di vetëm që po përballet me probleme familjare dhe shpresoj që situata të zgjidhet sa më shpejt dhe ai të rikthehet”, deklaroi trajneri Mihalcea.
Siç mëson, Kërlaçki, sulmuesi është takuar me disa klube në Kosovë, ku po mendon iden e kthimit në futbollin kosovar, pa e zhvilluar asnjë ndeshje me UTA Arad.

Por UTA, beson te lojtari dhe pasi e ka në kontratë nuk do ta lirojë edhe aq lehtë sulmuesin që ishte top shënues në Superligën e Kosovës.