Klubi i Basketbollit Bashkimi ka shkruar histori mbrëmjen e së mërkurës, duke mposhtur Anwil Włocławek me rezultat 78:75 në palestrën e stërmbushur “Sezai Surroi”. Triumfi i prizrenasve erdhi në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup, duke i dhënë gjallëri ëndrrës evropiane të klubit portokallezi, përcjellë “Kërlaçki”. Ndeshja ishte e mbushur me emocion, pasi Bashkimi dominoi për pjesën më të madhe të lojës, por polakët u rikthyen fuqishëm në çerekun e fundit, duke e bërë duelin dramatik deri në fund. Atmosfera elektrizuese dhe mbështetja e tifozëve ishin një shtysë vendimtare për skuadrën vendase. Pas ndeshjes, trajneri Igor Jovoviç nuk i fshehu emocionet: “U ballafaquam me një ekip të madh. Bashkimi nuk ka përvojë të gjatë në Evropë, prandaj ajo që bëri skuadra jonë sonte është e pabesueshme. Falënderoj tifozët që na mbështetën - skuadra i bëri të gjitha në mënyrë perfekte gjatë gjithë ndeshjes”, tha ai për Art Sport. Jovoviç shtoi se rruga nuk mbaron këtu: “Ata janë favoritë, ishte ekipi më i vështirë për ne në short. Do të japim maksimumin edhe në Poloni dhe të shohim çfarë do të ndodhë”. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 1 tetor, ku Bashkimi do të synojë të befasojë sërish përballë një rivali me traditë të madhe në basketbollin polak. https://kerlacki.com/bashkimi-shenon-fitoren-me-te-madhe-ne-histori-te-klubit-mposht-gjigantin-polak-anwill/