Komisioni Disiplinor dhe i Etikës merr vendim ndaj Liridon Poroshticës.
Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i shkallës së parë, në përbërje prej Metë Çekut (kryetar), Avni Shalës dhe Donat Lushakut (anëtarë), ka shqyrtuar rastet disiplinore pas përfundimit të ndeshjeve të xhiros së 12-të të Albi Mall Superligës dhe xhiros së 15-të të Raiffeisen Ligës së Parë.
Në mesin e vendimeve të marra në mbledhjen e 7 nëntorit 2025, është edhe ai ndaj delegatit të ndeshjes Prishtina e Re – Drenica, Liridon Poroshtica. Komisioni ka konstatuar se delegati ka dështuar në zbatimin e Rregullores së Garave në fuqi, duke mos përmbushur detyrimet zyrtare që i takojnë sipas protokollit të ndeshjes.
“Bazuar në nenin 3, paragrafi 1, pika K, si dhe nenin 6, paragrafi 1, pika 2/A të Rregullores Disiplinore, Liridon Poroshtica dënohet me pezullim prej tre (3) muajsh nga ushtrimi i detyrës së delegatit në ndeshjet e organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
