PAOK - KB Trepça

PAOK - KB Trepça

Trepça dhe Bashkimi në FIBA Europe Cup, Peja në ENBL League. Basketbolli kosovar vazhdon angazhimin në garat ndërkombëtare, ku tri skuadra nga Superliga e Kosovës do të zbresin në parket të mërkurën në kuadër të xhiros së dytë të kompeticioneve evropiane.

Trepça – Basketball Braunschweig (FIBA Europe Cup, Grupi F)
Kampioni aktual i Kosovës, KB Trepça, rikthehet në “Minatori” pas një paraqitjeje të mirë në Selanik, ku u mposht nga PAOK me rezultat 85:74.
Në xhiron e dytë, mitrovicasit do të përballen me skuadrën gjermane Basketball Braunschweig, e cila në ndeshjen e parë triumfoi ndaj Anwilit të Polonisë pas vazhdimeve, 98:97.
Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 18:30 në Mitrovicë.

Reggiana – Bashkimi (FIBA Europe Cup, Grupi J)
Bashkimi nga Prizreni, që pësoi humbje në Zagreb nga Cibona (93:79), këtë javë do të përballet me Reggianën në Itali.
Skuadra italiane vjen pas një fitoreje ndaj Dijonit të Francës, të arritur pas vazhdimeve me rezultat 96:88.
Takimi zhvillohet të mërkurën në ora 20:00.

Dubrava – Peja (ENBL League, Grupi C)
Pas humbjes në Prishtinë ndaj Rigas Zelli (83:72), Peja do të kërkojë fitore në përballjen kundër Dubravës në Zagreb.
Skuadra kroate gjithashtu pësoi humbje në xhiron e parë nga Spartak Pleven i Bullgarisë (83:82).
Ndeshja zhvillohet të mërkurën në ora 20:00.

Prishtina pauzon deri në fund të tetorit
Skuadra e katërt nga Kosova që merr pjesë në garat ndërkombëtare, KB Prishtina, kryeson Grupin B të ENBL League me dy fitore nga dy ndeshje.
Prishtinasit nuk luajnë këtë javë dhe do të rikthehen në parket më 29 tetor, në udhëtim ndaj Slovan Bratislava në Sllovaki.