
Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me ndeshjet e xhiros së 9-të, ku në program janë tre përballje tepër interesante.
Vëmendja kryesore e ditës do të jetë në Suharekë, aty ku Ballkani pret Dukagjinin në një duel mes dy skuadrave që po synojnë kreun e tabelës.
Pas tetë xhirove, suharekasit kanë grumbulluar 15 pikë, ndërsa klinasit ndodhen vetëm një hap prapa me 14, çka e bën këtë ndeshje mjaft të rëndësishme për ecurinë e tyre.

Liderja aktuale e kampionatit, Prishtina, do të udhëtojë drejt Skenderajt për t’u përballur me Drenicën, në një takim ku bardhekaltrit synojnë të ruajnë kryesimin.
Një tjetër duel i zjarrtë pritet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku Llapi pret Ferizajn — një ndeshje me shumë rivalitet dhe rëndësi për pozitat në tabelë.
Të tre sfidat e sotme në Superligë nisin në orën 13:00, duke premtuar spektakël dhe emocione për adhuruesit e futbollit vendor.