Granit Xhaka dhe Ardon Jashari do të jenë në fushë më 5 shtator në Basel, aty ku Zvicra do të përballet me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Të dy lojtarët janë përfshirë në listën e shpallur nga selektori Murat Yakin, i cili të enjten bëri publike emrat e futbollistëve të grumbulluar për dy sfidat e muajit shtator.
Pas përballjes me Kosovën, Zvicra më 8 shtator do të presë Slloveninë, po ashtu në stadiumin e Baselit.

Xhaka, si kapiten dhe lider i padiskutueshëm i Zvicrës, pritet të udhëheqë ekipin edhe në këto ndeshje, ndërsa Jashari, pas transferimit të madh te Milani, shihet si një nga figurat që do të ketë peshë gjithnjë e më të madhe në mesin e zviceranëve.
Dueli i 5 shtatorit do të jetë i katërti mes Zvicrës dhe Kosovës, me tre takimet e para që kanë përfunduar pa fitues.
