
Sulmuesi i Kosovës dhe Mallorcas, Vedat Muriqi, ka përfunduar në listën e dëshirave të Galatasarayt, që po kërkon me ngulm një qendërsulmues para mbylljes së afatit kalimtar në Turqi.
Kampioni aktual turk është në nevojë për përforcime, pasi Victor Osimhen është i dëmtuar dhe Mauro Icardi ende nuk është gati të luajë 90 minuta të plota. Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit të shikojnë disa alternativa për repartin ofensiv.
Sipas mediumit turk Radyospor, një nga emrat që pëlqehet është pikërisht Muriqi, i cili po shkëlqen në La Liga me Mallorcan.

Agjenti Tahsin Koca, që ka kontakte të ngushta me klubet evropiane, ka zbuluar se Galatasaray po e shqyrton seriozisht opsionin e “Pirates”.
“Galatasaray mund të nënshkruajë një qendërsulmues që e njeh mirë Superligën. Ata duan Vedat Muriqin në huazim me opsion blerjeje. Është një lëvizje logjike dhe e realizueshme”, deklaroi Koca.
Ai shtoi se Mallorca ka në dispozicion katër qendërsulmues, ndërsa në treg Galatasarayt iu ofruan edhe emra të tjerë si Milik nga Juventusi dhe Keinan nga Udinese, por klubi nuk është bindur. Si alternativë, në listë figuron edhe Banza i Bragës, i cili sezonin e kaluar luajti si huazim te Trabzonspori.
Ndërkohë, forma e Muriqit është mbresëlënëse edhe në arenën ndërkombëtare. Sulmuesi kosovar realizoi një gol në fitoren historike të Dardanëve ndaj Suedisë (2-0) në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.