Sot (e shtunë) zhvillohen dy ndeshjet e para të javës së 12-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke shënuar nisjen e një fundjave të mbushur me futboll elitar vendor.
Java e 12-të starton me dy duele interesante, ndërsa tri përballjet e tjera do të luhen nesër (e diel).
Vëmendja kryesore sot është e përqendruar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Prishtina dhe Gjilani do të përballen në një ndër derbit më tradicionale të futbollit kosovar.

Ndeshja pritet të fillojë në orën 18:30 dhe të sjellë shumë emocione, pasi të dyja skuadrat kërkojnë me ngulm tri pikët për të përmirësuar pozitat në tabelë.
Më herët gjatë ditës, kampioni aktual Ballkani do të jetë nikoqir i Ferizajt në “Stadiumin e Qytetit” në Suharekë.
Ky takim zhvillohet nga ora 13:00 dhe shihet si mundësi për therandasit që të vazhdojnë formën pozitive, ndërsa Ferizaj kërkon pikë të vlefshme për mbijetesë.
