Vllaznia fiton gjyqin ndaj Ballkanit në FIFA

Geralb Smajli
Geralb Smajli

Vllaznia ka dalë fituese në përballjen ligjore me Ballkanin, njofton Shkodrasport, përcjellë Kërlaçki.

Institucioni më i lartë i drejtësisë sportive ka pranuar kërkesën e klubit shkodran lidhur me pagesën e papërfunduar për transferimin e futbollistit Geralb Smajli.

Sipas vendimit të marrë nga komisionet përkatëse të FIFA-s, Ballkani është i detyruar që brenda 45 ditëve të shlyejë në favor të KF Vllaznia shumën prej 40 mijë eurosh, së bashku me një interes prej 5% – njofton mediumi.

Çështja u ngrit pasi përpjekjet e drejtuesve kuqeblu për ta zgjidhur me mirëkuptim mbetën pa rezultat. Mungesa e reagimit nga ana e klubit kosovar detyroi Vllazninë ta çojë rastin në FIFA – thuhet tutje.

Ky vendim konsiderohet si një rast i pazakontë, duke pasur parasysh ecurinë e mirë të Ballkanit në kompeticionet evropiane, por edhe si një shembull i mungesës së profesionalizmit në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale. Nëse pagesa nuk kryhet brenda afatit, Ballkani rrezikon sanksione të rënda, përfshirë edhe bllokimin e merkatos – thuhet në fund të tekstit të mediumit shkodran.

Ndërsa për Ballkanin nuk janë të reja njoftimet për telashet me pagesat, një të tillë e kishte edhe me futbollistin Leonit Abazi.